Rezime
Hulumtimi i kornizave ligjore dhe institucionale në Republikën e Maqedonisë në lidhje me privatësinë kishte për qëllim të vlerësojë gjendjen dhe mundësitë që këto rregulla ofrojnë për mbrojtjen e privatësisë individuale, por edhe të ofrojë një kornizë referuese dhe metodologji sipas të cilës do të implementoheshin edhe hulumtime të tjera dhe projekte në të ardhmen për përmirësimin e gjendjes
me privatësinë.
Me identifikim të ligjeve dhe akteve nënligjore që do të mund të ndikonin në të drejtën e privatësisë të qytetarëve, posaçërisht të atyre ligjeve të cilët kanë të bëjnë me mbledhjen, përpunimin, transferimin dhe ruajtjen e të dhënave personale, dhe pastaj, analizë të tyre juridike sipas disa kritereve, në mënyrë të lehtë dhe të thjeshtë do të mund t’u bëhet me dije qytetarëve, të cilët shpesh nuk janë
ekspertë ligjorë, në cilat mënyra dhe nëpërmjet cilëve institucione do të mund të
rrezikohej privatësia e tyre.
Rezultatet e hulumtimit
Rezultatet e hulumtimit sugjerojnë disa gjëra: së pari, qëndrimet e ekspertëve të fushave të ndryshme shpesh përputhen në raport me nevojën për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale dhe ngritjen e vetëdijes tek popullata më e gjerë, së dyti, të njëjtët pothuajse njëzëri pajtohen se në Republikën e Maqedonisë, regullativa ligjore e cila garanton mbrojtjen e të dhënave personale, duke përfshirë këtu edhe masat tekniko-teknologjike të parapara, është në një nivel solid, megjithatë problemin e shohin te implementimi i ligjeve. Analiza juridike e ligjeve, nga ana tjetër, zbulon se një në pjesë të madhe të ligjeve nuk ka afate të caktuara qartë dhe precize për ruajtjen e të dhënave personale, në numrin
më të madh të ligjeve të cilët parashohin mbledhje të të dhënave personale nuk parashihet kërkimi i pëlqimit nga subjektet, por edhe që ekzistojnë ligje të cilët pothuajse nuk plotësojnë asnjë kriter për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale.
Sipas mendimeve të ekspertëve, në Republikën e Maqedonisë, gjendja me privatësinë nuk është në nivel të lakmueshëm, por nga ana tjetër ka një tendencë pozitive të përmirësimmit. Të njëjtit identifikuan edhe disa mënyra dhe target grupe, me të cilat, sipas tyre, më së shumti mundet dhe duhet të punohet, sepse
gjendja me privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale paraqet një problem shoqëror, të cilin nuk guxojmë ta injorojmë dhe kemi për detyrë të ngremë vetëdijen publike tek ato grupe të qytetarëve, të cilët nëpërmjet metodave konvencionale të fitimit të njohurive nuk kanë arritur ta njohin rëndësinë e të drejtës së privatësisë dhe nevojën e mbrojtjes të të dhënave personale të tyre, por edhe të privatësisë dhe të të dhënave personale të të tjerëve.